Kur Shqipëria vendosi të bëhej vend me demokraci përfaqësuese, e mori parasysh edhe faktin se sovraniteti i popullit shprehej nëpërmjet parlamentit të zgjedhur prej tij, ndaj dhe sistemi i zgjedhjeve ka rëndësi të dorës së parë. Megjithatë, debate mbi zhvillimet dhe dinamikat politike në rastin e Shqipërisë kanë mbizotëruar interesin e aktorëve të ndryshëm publik në këto 20 vite të tranzicionit post-komunist. Vëmendje të veçantë në opinionin publik në Shqipëri gjatë këtyre dy dekadave post-komuniste ka marrë konkurrimi, organizimi dhe funksionimi i partive politike. Edhe në këtë rast eksperienca e zbehtë me pluralizmin politik dhe periudha e gjatë kohore nën pushtetin e një partie shtet duket se është pasqyruar me forcë në praktikat, konkurrimin, organizimin, funksionimin e partive politike nga njëra anë dhe perceptimin, pritshmërinë, identifikimin me to nga ana tjetër. Ajo që mbetet emërues i përbashkët i këtyre 20 viteve në lidhje me partitë politike është pozicioni i tyre mbizotërues në raport me institucionet, ligjin dhe vetë shoqërinë duke ndërmarrë një shumëllojshmëri rolesh jo rastësisht shumë të ngjashëm me partinë shtet të para dy dekadave.

Lexo më shumë